Plagosja te hoteli në Sauk, rrëfehet 18-vjeçarja: Kam bërë gabime në jetë!

Është zbardhur dëshmia e 18-vjeçares Natalia Murati, e cila është vetëplagosur me armë zjarri në mesnatë, në ambientet e hotel “Gjuta” në Sauk.

Vajza ka deklaruar se ka qenë vetëm në dhomë në momentin që është vetëplagosur, ndërsa i dashuri i saj ndodhej jashtë me personat e tjerë.

18-vjeçarja ka pohuar se ka tentuar dhe herë tjetër të dëmtojë veten duke pirë medikamente.

“Kam gabuar në jetë”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa Mirvete Gjuta, nëna e të dashurit të saj, e cila e çoj Natali Murtatin në spital, ka pohuar se nuk e njihte vajzën më herët.

Të marrë në pyetje, anëtarët e familjes Gjuta, të cilët kanë fshehur ngjarjen, paraprakisht kanë deklaruar se vajza mund të vdiste dhe për shkak se tentativa për vetëvrasje ndodhi në biznesin e tyre, kishin frikë se do t’u faturohej atyre autorësia.

Kujtojmë se lidhur me ngjarjen, sipas njoftimi të policisë, në pranga kanë rënë dy persona, Mirvete Rexhmati Gjuta dhe Vladimir Gjuta.

Ndërkohë, tre të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre edhe i dashuri i 18-vjeçares, Erisjaldo Gjuta, 22-vjeç, i cili dyshohet se ka pasur edhe armën me të cilën e 18-vjeçarja qëlloi veten.

Ende në kërkim janë: Sajmir Gjuta, 49 vjeç, Elvir Gjuta, 24 vjeç, si dhe shtetasi Erisjaldo Gjuta, 22 vjeç.

22-vjeçari Erisjaldo Gjuta, i dashuri i 18-vjeçares Natali Murati, është i biri i Sajmir Gjutës dhe Mirvete Rexhmati Gjutës.

Vladimir Gjuta është xhaxhai i 22-vjeçarit, ndërsa Elvir Gjuta, kushëri i tij.

Vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur në ngjarje.

Njoftimi i policisë:

Zbardhet ngjarja e ndodhur pak pas mesnate, ku një 18-vjeçare u vetëplagos me armë zjarri.

Arrestohen 2 shtetas dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë.

Më datë 14.02.2026, rreth orës 00:15, në spital është paraqitur e plagosur me armë zjarri shtetasja N. M., 18 vjeçe, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet e shpejta hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, si dhe nga kqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se ngjarja ka ndodhur në ambientet e një subjekti në Sauk, ku 18-vjeçarja dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri.

E dëmtuara është transportuar në spital nga shtetasja M. R. (Gj) dhe shtetasi E. Gj., 24 vjeç.

Në vijim të veprimeve procedurale:

-u arrestuan në flagrancë shtetasit V. Gj., 46 vjeç dhe M. R. (Gj), 48 vjeçe, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

-u shpallën në kërkim shtetasit S. Gj., 49 vjeç, dhe E. Gj., 24 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, si dhe shtetasi E. Gj., 22 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Këta shtetas dyshohet se kanë prishur provat në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin.

Vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur në ngjarje, si dhe për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.