Ambasada Amerikane paralajmëron qytetarët për protestën e 10 Shkurtit në Tiranë

TIRANË- Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët lidhur me protestën e thirrur nga Partia Demokratike, e cila do të mbahet më 10 shkurt, në orën 17:00. Sipas njoftimit të Ambasadës, demonstruesit pritet të mblidhen përpara ndërtesës së Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza.

Autoritetet shqiptare kanë paralajmëruar për prani të shtuar të policisë, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të trafikut, ndërsa kryqëzimet në qendër të qytetit mund të mbeten të bllokuara nga protestuesit.

Ambasada këshillon që qytetarët amerikanë të shmangin zonën e protestës dhe të qëndrojnë vigjilentë. Në njoftim theksohet se, megjithëse tubimet shpesh fillojnë paqësisht, situata mund të ndryshojë shpejt dhe protesta mund të shtrihet në blloqe dhe ndërtesa qeveritare përreth.