Porositi vrasjen e kushuririt, dënohet me 25 vite burg Laert Hasalla

Policia e Fierit ka ekzekutuar vendimin përfundimtar të Gjykatës, duke dërguar në burg 34-vjeçarin Laert Hasalla, i cili është dënuar me 25 vite heqje lirie për porositjen e vrasjes së kushëririt të tij, Mario Hasalla. Hasalla, banues në fshatin Garunjë të Lushnjës, u shpall fajtor si porositës i atentatit të ndodhur në vitin 2023.

Sipas vendimit gjyqësor, Laert Hasalla kishte porositur shtetasin Mariglen Matjani për të ekzekutuar Mario Hasallën. Gjatë atentatit me armë zjarri, objektiv ishte Mario Hasalla, por mbeti e plagosur në këmbë edhe halla e kushërinjve Hasalla, shtetasja Bajame Seneja.

Pas ngjarjes, policia arrestoi autorin e dyshuar të atentatit, Mariglen Matjanin, 31 vjeç, i cili u dënua për vrasje të mbetur në tentativë. Hetimet e mëtejshme zbuluan se Matjani nuk kishte asnjë motiv personal për sulmin dhe se lidhja e tij me Laert Hasallën ishte elementi kyç që çoi në arrestimin e këtij të fundit si porositës i krimit. Deri në shpalljen e vendimit, Laert Hasalla kishte qëndruar me masë sigurie “arrest në shtëpi”.

Burime nga Prokuroria e Fierit bëjnë me dije se konflikti mes kushërinjve Hasalla ka rrënjë të thella dhe lidhet me një mosmarrëveshje pronësie në fshatin Garunjë. Ngjarja që ndezi gjakmarrjen në këtë fis daton në vitin 2021, kur gjatë një sherri për një tokë të mbjellë me ullinj, Kastriot Hasalla vrau me armë gjahu kushëririn e tij, Romeon.

Në konflikt u përfshinë disa anëtarë të familjes Hasalla, duke përfshirë Mario Hasallën, si dhe vëllezërit Romeo, Emiljano, Laert dhe babain e tyre, Shuaip Hasalla. Përplasja përfundoi me vrasjen e Romeos dhe plagosjen e Emiljanos, Laertit dhe Shuaipit. Kastriot Hasalla u dënua për vrasje, duke pretenduar në gjykatë se veproi në kushte të tronditjes psikike.

Hakmarrja, sipas hetimeve, vijoi dy vite më pas me atentatin ndaj Mario Hasallës, çka çoi në zbardhjen e plotë të zinxhirit të ngjarjeve dhe në dënimin e Laert Hasallës si porositës i sulmit. Vendimi i fundit i gjykatës mbyll një nga kapitujt më të rëndë të konfliktit familjar që për vite me radhë tronditi zonën e Lushnjës.