Dhuna në burgjet e sigurisë së lartë në Greqi vijon pa u ndalur. Një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e sotme në burgun famëkeq të Malandrinos, ku 46-vjeçari shqiptar Dhimitër Meci, me origjinë nga Labova e Poshtme e Gjirokastrës, është plagosur rëndë pas një sulmi me armë të ftohtë.
Sipas informacioneve paraprake nga mediat greke, Meci është goditur disa herë me një thikë të improvizuar nga një i burgosur grek, i identifikuar me inicialet N. E., i cili akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe ishte i angazhuar në punët e mensës së burgut. Sulmi ka ndodhur brenda ambienteve të burgut, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi masat e sigurisë.
Ngjarja ka ndodhur pikërisht ditën kur Dhimitër Meci u transferua nga burgu i Koridhalos në Malandrino. Që prej arrestimit të tij në fillim të dhjetorit 2025, ai mbahej në repartin psikiatrik të burgut të Koridhalos, për shkak të gjendjes së tij psikologjike.
Pas sulmit, Meci është transportuar me urgjencë në spital nën masa të forta sigurie. Burime nga spitali bëjnë me dije se gjendja e tij shëndetësore paraqitet e rëndë, ndërsa autoritetet greke kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të sulmit.
Por kush është Dhimitër Meci dhe pse konsiderohet një nga figurat më problematike të botës së krimit në Greqi?
Dhimitër Meci, i njohur edhe si Dhimo Meci, rezulton i proceduar dhe dënuar disa herë nga drejtësia greke për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë vjedhje, grabitje, përdorim dhe posedim armësh, tentativë vrasjeje, vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Ai u arrestua për herë të parë në vitin 2004 për vrasjen e një emigranti sirian jashtë një qendre prostitucioni në qendër të Athinës. Më pas, ndërsa vuante dënimin në burgun rural të Kasandrës, përfitoi një leje disa ditore, gjatë së cilës u përfshi në grabitjen e një agjencie transfertash parash në Glyfada, nga ku u grabitën rreth 65 mijë euro.
Pas lirimit të përkohshëm, Meci u arrestua sërish për shkelje të kushteve të lirimit me kusht dhe vijoi aktivitetin kriminal në zona të ndryshme të Athinës, përfshirë Glyfada, Haidari, Kaminia dhe Koridhalo, ku dyshohet se ishte pjesë e një bande zhvatjeje.
Në maj të vitit 2025, ai u arrestua në një operacion të madh policor së bashku me Andrea Brokerin nga Himara, Fatjon Prendin nga Lezha dhe disa shtetas grekë. Grupi akuzohej për tentativën e vrasjes së mafiozit grek Jani Lala. Ky i fundit u ekzekutua disa muaj më vonë nga një grup tjetër kriminal.
Gjatë kontrolleve në banesat e Mecit në Greqi dhe në Shqipëri, policia greke gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh, duke përforcuar dyshimet për përfshirje të thellë në krimin e organizuar.
Autoritetet greke dyshojnë gjithashtu se Meci është përfshirë në disa vrasje të tjera të bujshme, përfshirë ekzekutimin e Panagiotis Stivas, Ali Saeed, Giorgos Shabbat dhe një personi të njohur me nofkën “Pitsila”, i cili dyshohet se ishte bashkëpunëtor i tij.
Në vitin 2012, Meci u akuzua për vrasjen e 29-vjeçarit shqiptar Artin Kato në Peristeri të Athinës. Viktima u tërhoq në një takim kurth përmes një profili fals femëror në rrjetet sociale. Edhe pse një tjetër person mori përgjegjësinë për krimin, Meci u dënua si bashkëpunëtor.
Ngjarja e fundit në burgun e Malandrinos ka rikthyer edhe një herë vëmendjen mbi situatën alarmante të sigurisë në burgjet greke, ku vitet e fundit janë shënuar disa sulme të rënda mes të burgosurve me precedentë të rrezikshëm penalë.
Hetimet për sulmin ndaj Dhimitër Mecit vijojnë, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë pista të ndryshme, përfshirë larje hesapesh mes grupeve kriminale.













