Dekriminalizohet shpifja për gazetarët sipas rekomandimeve të BE-së; ashpërsohen dënimet për shkelje të tjera penale
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar, pas rreth 18 orësh diskutimesh në seancë plenare, ndryshimet në Kodin Penal. Projektligji u votua me 85 vota pro, ndërsa opozita votoi kundër.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme ka të bëjë me dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët, në përputhje me udhëzimet e Bashkimit Europian në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Eduard Lamallari, u shpreh se këto ndryshime kanë marrë edhe vlerësimin pozitiv të institucioneve europiane.
Ligji i ri parashikon gjithashtu masa shtesë për mbrojtjen e sigurisë së gazetarëve, duke dënuar penalisht kërcënimin apo dhunën ndaj tyre për shkak të ushtrimit të profesionit.
Ndër ndryshimet e tjera të miratuara, Kodi Penal parashikon dënim me burg deri në 1 vit për parkimin e dyfishtë, si dhe ashpërsim të ndëshkimeve për ndërtimet e paligjshme dhe zjarrvënien.
Mazhoranca argumentoi se ndryshimet synojnë forcimin e rendit dhe sigurisë publike, ndërsa opozita i kundërshtoi ato, duke i cilësuar si masa represive dhe të paargumentuara.
Ligji pritet të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.













