CËRRIK, 16 janar 2026 – Një tjetër sukses i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare vjen nga Shqipëria, duke e vendosur qytetin e Cërrikut në qendër të vëmendjes për arritje akademike të nivelit të lartë.
Nxënësi Loris Qosja ka arritur një rezultat të jashtëzakonshëm, duke u renditur i pari në botë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës për nxënësit e klasave të 9-ta. Paralelisht, ai ka fituar edhe vendin e tretë në Olimpiadën e Kimisë, duke konfirmuar nivelin e tij të lartë akademik në fusha të ndryshme të shkencës.
Ky sukses konsiderohet një arritje e rrallë, që tejkalon kufijtë lokalë dhe dëshmon potencialin e madh të të rinjve shqiptarë në konkurset më prestigjioze ndërkombëtare të dijes.
Rezultati i arritur është fryt i talentit, punës së palodhur dhe përkushtimit të vazhdueshëm të nxënësit, si edhe i mbështetjes dhe punës profesionale të mësueses Flutura, e cila ka luajtur një rol kyç në përgatitjen dhe orientimin e tij drejt këtij suksesi.
Arritja e Loris Qosjes është sot burim krenarie për familjen e tij, shkollën, qytetin e Cërrikut dhe për gjithë Shqipërinë, duke shërbyer njëkohësisht si shembull frymëzues për brezat e rinj.













