KORÇË – Policia e Korçës ka referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedim penal ndaj dy punonjëseve të një dege postare në qarkun e Korçës, të dyshuara për vjedhje fondesh publike dhe falsifikim dokumentesh.
Sipas hetimeve të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, procedimi penal ka nisur për veprat “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, të kryera në bashkëpunim.
Nën hetim janë:
P. Sh., 29 vjeçe, banuese në Bilisht, e cila ushtronte detyrën e përgjegjëses së zyrës postare Vishocicë në Devoll;
E. Ç., 27 vjeçe, banuese gjithashtu në Bilisht, me funksion arkëtare-llogaritare në degën postare Devoll.
Nga verifikimet paraprake dyshohet se gjatë periudhës shtator 2025 – janar 2026, dy shtetaset kanë përvetësuar në mënyrë të paligjshme rreth 22 milionë lekë të rinj nga fondet e postës, duke shfrytëzuar pozicionet që mbanin.
Sipas Policisë, 29-vjeçarja dyshohet se ka abuzuar me fondet e pensioneve dhe ndihmës ekonomike, kryesisht të përfituesve që jetonin jashtë Shqipërisë, duke falsifikuar nënshkrimet përkatëse. Ndërkohë, 27-vjeçarja dyshohet se ka ndërhyrë në evidencat financiare, duke manipuluar dhe falsifikuar mandatpagesat në librat e arkës dhe në sistemin elektronik të menaxhimit të parasë cash, me qëllim fshehjen e përvetësimit të fondeve.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë çështje.













