DURRËS – Dalin në dritë detaje të reja lidhur me arratisjen e Altin Ndocit nga ambientet e spitalit rajonal të Durrësit, ngjarje që ka vënë në alarm autoritetet.
Sipas informacioneve paraprake, Ndoci ishte shoqëruar për një vizitë mjekësore në repartin infektiv dhe ruhej nga pesë punonjës të Policisë së Burgjeve. Njëri prej tyre ishte shoferi i mjetit, dy efektivë kanë qëndruar në automjet, ndërsa dy të tjerë e kanë shoqëruar të burgosurin brenda ambienteve të spitalit.
Burime bëjnë me dije se gjatë qëndrimit në spital, Ndoci i ka kërkuar njërit prej efektivëve leje për të shkuar në tualet. Në momentin që ka dalë nga ambientet e brendshme, ai dyshohet se ka goditur njërin nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, duke përfituar nga situata për t’u larguar me shpejtësi.
Hetimet paraprake sugjerojnë se arratisja ishte e mirëmenduar, pasi në parkimin e spitalit dyshohet se e priste një automjet tip Audi A7 i bardhë, me targa AA 700 RS, me të cilin është larguar në drejtim të zonës së Spitallës.
Autoritetet kanë ngritur pika kontrolli dhe po vijojnë kërkimet për kapjen e të arratisurit, ndërsa pritet edhe një reagim zyrtar për të sqaruar përgjegjësitë dhe masat e sigurisë të ndjekura gjatë shoqërimit të tij.













