Moti i keq shkakton ndërprerje të energjisë elektrike në qarkun e Elbasanit, 10 zona të Librazhdit në terr!

Moti i përkeqësuar që ka përfshirë Qarkun e Elbasanit ka sjellë probleme të shumta në furnizimin me energji elektrike, veçanërisht në zonat malore të rajonit.

Si pasojë e kushteve të vështira atmosferike dhe bllokimit të disa akseve rrugore, disa fshatra vijojnë të mbeten pa energji.

Aktualisht, mungesa e energjisë elektrike raportohet në disa fidra të Rajonit Elbasan, konkretisht:

-Fidri 6 Lunik– Nënstacioni Librazhd, ku pa energji janë zonat Qytezë, Qarrisht, Borovë, Zabzun dhe Stërblevë.

-Fidri 4 Polis– Nënstacioni Librazhd, ku problematika prek zonat Sopot dhe Vilan.

-Fidri 3– Nënstacioni Librazhd, ku mungesa e energjisë është evidentuar në zonat Qershizë Banjë, Verrisht Banjë dhe Mali i Xhyrës.

Në disa raste, energjia është rikthyer brenda një kohe të shkurtër, por ndërhyrjet po vështirësohen nga bllokimi i rrugëve, i shkaktuar nga reshjet dhe temperaturat e ulëta.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve për mirëkuptim, ndërsa sigurojnë se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe furnizimi me energji do të normalizohet sapo kushtet të lejojnë ndërhyrje të plotë në të gjitha zonat problematike.