Rregulla të reja për kolaudimin e makinave nga 2026

12 Janar 2026

TIRANË – Rregullat për kolaudimin e mjeteve rrugore në Shqipëri do të ndryshojnë ndjeshëm, duke parashikuar kontroll teknik të detyrueshëm pas çdo ndryshimi të pronarit të automjetit. Masat e reja janë përcaktuar në një udhëzim të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të publikuar në Fletoren Zyrtare, i cili do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor 2026.

Sipas udhëzimit, pavarësisht se kur është kryer kontrolli i fundit teknik, autoriteti kompetent do të ketë të drejtë të kërkojë një kolaudim të ri në momentin që ndryshon titullari i certifikatës së regjistrimit të mjetit. I njëjti detyrim parashikohet edhe për automjetet që kanë përshkuar mbi 160 mijë kilometra, duke synuar rritjen e sigurisë rrugore dhe kontroll më rigoroz të gjendjes teknike të mjeteve.

Ndryshimet përfshijnë gjithashtu forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me vendet e Bashkimit Evropian. Autoritetet shqiptare, kur është e zbatueshme, do të përdorin platformën e Komisionit Evropian për të shkëmbyer të dhëna mbi certifikatat e kontrollit teknik dhe leximin e odometrit me institucionet homologe të shteteve anëtare të BE-së.

Nëpërmjet këtyre platformave, inspektorët e qendrave të kontrollit teknik, pronarët e mjeteve dhe studiuesit e aksidenteve do të kenë akses edhe në informacione mbi historikun e aksidenteve të automjeteve dhe elementët e sigurisë së tyre, veçanërisht për mjetet që kanë qenë të përfshira në ngjarje rrugore.

Udhëzimi parashikon edhe ndryshime të tjera strukturore, përfshirë një riformatim të kategorizimit të mjeteve, me qëllim përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me standardet dhe direktivat e Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë rrugore.