Sherr i radhës në burgun e Reçit, dy të dënuar përfundojnë në spital

Një tjetër incident i dhunshëm është regjistruar në burgun e Reçit, në Malësinë e Madhe, ku dy të dënuar janë përfshirë në një konflikt fizik me pasoja të rënda.

Sipas burimeve, shtetasit Astmer Bilali dhe Mikel Thani janë përplasur fizikisht me njëri-tjetrin gjatë orarit të drekës, në ambientet e institucionit penitenciar. Konflikti ka degraduar në dhunë, ku Mikel Thani dyshohet se është ndihmuar edhe nga disa persona të tjerë, bashkëvuajtës në burg.

Si pasojë e përleshjes, të dy të burgosurit kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme dhe janë transportuar drejt Spitalit të Burgut në Tiranë për të marrë ndihmë mjekësore të specializuar.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë forcat e sigurisë së burgut, të cilat kanë neutralizuar situatën dhe kanë bërë ndarjen e personave të përfshirë në sherr.

Mikel Thani ndodhet në vuajtje dënimi që prej vitit 2015, pasi dyshohet se ka plagosur prindërit e ish-të fejuarës së tij si dhe mbesën e tyre. Ndërkohë, Astmer Bilali është arrestuar në kuadër të dosjes së bujshme “Metamorfoza”.

Ky nuk është rasti i parë i incidenteve në këtë institucion. Pak kohë më parë, në burgun e Reçit u regjistrua një tjetër konflikt mes Safet Bajrit dhe Sokol Sanxhaktarit, ku ky i fundit mbeti i dëmtuar fizikisht.

Autoritetet pritet të nisin verifikimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për marrjen e masave disiplinore ndaj personave të përfshirë.