SKANDALI/ 300 pasagjerë me fëmijë u braktisën nga kompania fluturimit në Brindizi të Italisë! (Shqiptarët u kthyen me traget)

Ndërhyrja humane e Policisë Kufitare dhe zgjidhja përmes tragetit drejt Shqipërisë.

Një situatë e rëndë dhe e paprecedentë ka ndodhur me rreth 300 pasagjerë të nisur nga Bergamo, të cilët janë ulur papritur në aeroportin e Brindizit pa asnjë lloj komunikimi apo shpjegimi nga kompania ajrore Wizz Air.

Pasagjerët janë lënë në pasiguri totale, pa informacione për vazhdimin e udhëtimit dhe pa zgjidhje alternative.

Përballë kësaj situate emergjente, ka qenë vendimtare ndërhyrja e menjëhershme e Policisë Kufitare të Brindizit, e cila ka treguar profesionalizëm dhe mbi të gjitha humanizëm të jashtëzakonshëm.

Shefi i aeroportit, Roberto Semeraro ka marrë personalisht iniciativën për të gjetur një zgjidhje konkrete për pasagjerët e braktisur.

Semmeraro ka kontaktuar menjëherë kompaninë detare Star Lines, duke kërkuar që të bëhej e mundur nisja e një trageti për transportimin e pasagjerëve drejt Shqipërisë, si dhe garantimin e kthimit të tij.

Kompania Star Lines është vënë pa hezitim në dispozicion, duke treguar përgjegjësi dhe bashkëpunim të plotë për zgjidhjen e problemit.

Trageti, i cili kishte mbërritur sot në mëngjes nga porti i Vlorës në portin e Brindizit, është planifikuar të niset sërish sot në orën 23:00, duke bërë të mundur kthimin e pasagjerëve në destinacionin e tyre.

Për t’u theksuar është angazhimi i pandërprerë dhe njerëzor i Policisë Kufitare të Brindizit, e cila ka bërë të pamundurën për të gjetur zgjidhje dhe për të shmangur përkeqësimin e situatës.

Ndihma e tyre ka qenë thelbësore për qetësimin e pasagjerëve dhe për garantimin e sigurisë dhe dinjitetit të tyre.

Kjo ngjarje hedh dritë mbi mungesën e përgjegjësisë së kompanisë ajrore, por njëkohësisht nxjerr në pah shembullin pozitiv të institucioneve dhe individëve, si Antonio Giordano dhe Policia Kufitare e Brindizit, të cilët me profesionalizëm dhe humanizëm arritën të zgjidhin një situatë të vështirë për qindra qytetarë.