Fier, 3 janar 2026
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin “Fier–Libofshë”, në zonën e fshatit Petovë, pranë godinës së FNSH-së, ku një automjet ka përplasur dy këmbësorë.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Benz”, i drejtuar nga shtetasi N. Sh., 55 vjeç, ka goditur një çift bashkëshortësh, shtetasit A. M., 62 vjeç, dhe H. M., 55 vjeçe. Si pasojë e përplasjes, të dy kanë pësuar lëndime dhe janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal Fier për ndihmë mjekësore.
Burime nga spitali bëjnë me dije se të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë kryer veprimet e para procedurale. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme ligjore.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.













