Plagosje me thikë biznesmeni në Kavajë. Policia ndalon autorin

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pak çaste më parë në lagjen nr. 2 të qytetit të Kavajës, ku shtetasi Artur Ligeja, 52 vjeç, pronar i një agjencie udhëtimesh dhe disa bizneseve të tjera, është plagosur me mjet prerës.

Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur brenda një prej bizneseve të tij. Rrethanat mbeten ende të paqarta, ndërsa forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të saj.

Burime për mediat bëjnë me dije se autori i dyshuar i sulmit është ndaluar nga policia dhe dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor. Mësohet se ai ka refuzuar të largohej nga ambientet e biznesit deri në ndërhyrjen e efektivëve.

I plagosuri është transportuar për ndihmë mjekësore dhe raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Hetimet vijojnë për sqarimin e shkaqeve dhe motiveve të ngjarjes.