Braho merr zyrtarisht detyrën si kryetar i SPAK: Misioni i Prokurorisë shkon përtej mandateve

TIRANË- Klodian Braho ka marrë detyrën sot si kryetar i Prokurorisë së Posaçme. Gjatë ceremonisë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Braho falenderoi KLP-në për besimin dhe vlerësimin e treguar, duke e përzgjedhur në krye të SPAK.

“Marrja e kësaj detyre, më shumë se një moment simbolik, është një angazhim për të respektuar Kushtetutën dhe ligjin, për të mbrojtur pavarësinë e SPAK-ut dhe për të forcuar më tej besimin e qytetarëve. Falë mbështetjes së pakursyer të partnerëve ndërkombëtarë, SPAK-u është konsoliduar si një strukturë solide e ndjekjes penale”, tha Braho.

Teksa vlerësoi dy paraardhësit e tij, Arben Kraja dhe Altin Dumani, Braho theksoi se misioni i tij do të jetë garantimi i zbatimit të ligjit dhe pavarësia e prokurorëve të posaçëm.

“Dëshiroj të vlerësoj paraardhësin në detyrë, zotin Kraja, për kontributin e tij në momentet e para të ngritjes së institucionit dhe për punën në vendosjen e grupeve të para që i dhanë formën që ka sot, si dhe zotin Dumani për guximin dhe integritetin e tij, duke forcuar profilin e SPAK-ut dhe duke rritur besimin e publikut”, tha Braho.

Braho shprehu vlerësim për zgjedhjen e tij në krye të këtij institucioni, duke thënë se misioni i SPAK shkon përtej mandateve.

“Në ushtrimin e kësaj detyre, fokusi im, siç edhe kam përmendur përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë, do të mbetet forcimi i funksionimit të brendshëm, respektimi rigoroz i standardeve ligjore dhe garantimi i pavarësisë së prokurorëve të posaçëm në ushtrimin e detyrës së tyre. Byroja Kombëtare e Hetimit dhe sektori i hetimit financiar janë shtylla të rëndësishme të SPAK-ut. Bashkëpunimi i ngushtë dhe i bazuar në besimin reciprok mes prokurorëve dhe hetuesve do të vijojë të forcohet, duke synuar hetime më cilësore dhe rezultate konkrete. Institucioni do të vazhdojë të komunikojë në mënyrë të qartë me median dhe publikun, duke respektuar kornizën ligjore. Të nderuar kolegë, misioni i SPAK-ut shkon përtej mandateve individuale. Unë besoj se jemi një skuadër dhe do të punojmë krah për krah me përkushtim në përmbushje të zotimit tonë ndaj Kushtetutës dhe ndaj qytetarëve shqiptarë”, tha Braho./