Një 20-vjeçare me shtetësi indoneziane, Ayu Putri, është vënë në pranga nga uniformat blu të Komisariatit të Policisë Nr. 1 në Tiranë, pasi akuzohet për veprën penale të vrasjes së foshnjës.
Mësohet se e reja kishte ardhur në Shqipëri disa muaj më parë nga Indonezia, bashkë me disa shoqe të saj, me të cilat banonte në një apartament të marrë me qira në kryeqytet.
Ato ishin të punësuara si pastruese në biznese të ndryshme.
Hetimet kanë zbuluar se Ayu Putri ishte shtatzënë rreth pesë muajsh në momentin e mbërritjes në Shqipëri.
Rreth dy muaj më parë, ajo ka sjellë në jetë foshnjën, por më pas e ka lënë të braktisur në ballkonin e banesës ku jetonte.
Gjatë muajit të tetë të shtatzënisë, e reja dyshohet se ka përjetuar episode të forta stresi.
Pas lindjes, shoqet e saj kanë vënë re situatën dhe kanë njoftuar pronarin e apartamentit, i cili më pas ka lajmëruar autoritetet.
Foshnja është dërguar me urgjencë në spital, por pavarësisht ndihmës mjekësore, nuk ka mundur të mbijetojë.
Në fazën fillestare, për shkak të rrethanave dhe gjendjes së nënës, procedimi penal ishte ndjekur në gjendje të lirë.
Megjithatë, pas vendimit të Gjykatës, është lëshuar urdhri i ndalimit dhe 20-vjeçarja është arrestuar













