TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka përfunduar dëshminë e tij në SPAK lidhur me çështjen e 21 janarit. Mësohet se ai është pyetur nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit që ishin caktuar nga prokurori i dosjes Alfred Shehu.
Vetë Meta iu drejtua SPAK me kërkesë që ta thërriste për të dhënë shpjegime lidhur me ngjarjen, pasi për shkak të posteve që ka mbajtur, pretendon se ka të dhëna që mund ti shërbejnë hetimit. Në kuadër të hetimit të dosjes 21 janari, SPAK ka marrë edhe dëshmitë e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-presidentit Bamir Topi si dhe zyrtarë të tjerë.
Çështja “21 janari”
Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, u vranë nga Garda e Republikës 4 protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Kryeministri i kohës, Sali Berisha deklaroi se opozita kishte përgatitur një “grusht shteti” për të rrëzuar qeverinë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se vrau 4 qytetarë të pafajshëm.
Në hetimin që u bë për vrasjen e protestuesve, të pandehur u morën Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg













