Zhduket 56-vjeçari shqiptar në Austri, familjarët kërkojnë ndihmë për gjetjen e tij

Wels, Austri – Prej ditës së shtunë, 56-vjeçari shqiptar Agim Nuredini, banues prej vitesh në qytetin Wels, është shpallur i zhdukur, duke ngritur shqetësim të madh te familjarët dhe komuniteti shqiptar në Austri.

Sipas njoftimeve të afërmve, Agimi është parë për herë të fundit rreth orës 12:30, kur është larguar nga banesa me veturën e tij Opel Mokka, ngjyrë të zezë. Që nga ai moment, nuk ka pasur asnjë kontakt apo informacion mbi vendndodhjen e tij.

Familja dhe miqtë e tij kanë njoftuar menjëherë policinë austriake, por deri tani nuk është gjetur asnjë gjurmë – madje as automjeti me të cilin është larguar.

Një mik i familjes u shpreh për albinfo.at se situata po bëhet gjithnjë e më shqetësuese:
“Kemi kontaktuar policinë, kemi kërkuar në çdo vend të mundshëm, por deri tani nuk kemi asnjë informacion. As makina nuk është gjetur.”

Autoritetet lokale u bëjnë thirrje qytetarëve që mund të kenë parë Agimin pas të shtunës, ose që disponojnë çfarëdo informacioni, të kontaktojnë stacionin më të afërt të policisë pa vonesë.