Salianji konfirmon “fraksionin” në parti, shpërthen në kritika: PD e paaftë! Nuk mbledh dot protestues edhe pas skandalit të Ballukut

Fraksioni brenda Partisë Demokratike duket se është konfirmuar me takimin e parë të Ervin Salianjit me demokratët në qytetin e Durrësit, ku ka mbajtur një fjalim tepër të fortë dhe kritik ndaj drejtuesve aktualë të kësaj force politike.

Teksa theksin e vuri te degradimi i demokracisë në vend, sipas tij, nga Edi Rama, Salianji tha se përgjegjëse është edhe Partia Demokratike e cila me paaftësinë e saj është bërë shkak që Rama të “vrasë” zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Salianji tha se me skandalin e Belinda Ballukut, e kapur në një vjedhje 50 milionë eurshe, në vend duhet të kishin vërshuar protestat masive për rrëzimin e qeverisë së korruptuar, por ai tha se PD nuk arrin të mbledhë numra të konsiderueshmë protestuesish rreth vetes.

Ai gjithashtu kritikoi mungesën e takimeve prej 7 muajsh me demokratët si dhe mosmarrjen e përgjegjësive për humbjen në zgjedhje. Salianji tha se ka ardhur koha që PD të hapet dhe t’i besojë brezit të ri për të bërë ndryshimin.

Pjesë nga fjalimi i Salianjit:

Sot pritshmëritë e shqiptarëve janë të mëdha. Do të na urrejë çdo demokrat nëse nuk u përgjigjemi në kohë. Është e vërtetë që Edi Rama nuk zhvillon zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edi Rama përdor mjete të ndyra në politikë dhe e ka prishur procesin politik në Shqipëri.

Zgjedhjet janë si një luftë për bukën e gojës, shtrëngimin e vendit të punës. Por duhet ta themi hapur dhe me sinqeritet, një tjetër shkak është paaftësia e opozitës, e PD-së. Edi Rama arriti të nxirrte me të gjithë represionin 15 mijë votues në Vlorë, por ne nuk arritëm të nxjerrim as 2000, pse nuk i motivojmë ne demokratët të dalin të votojnë. T’i pyesim, pse?

Ne nuk mund t’i mbyllim as sytë e as veshët, kur kapja e ministres Belinda Balluku në vjedhje 50 milionë euro nuk bëri të dalin mijëra njerëz në shesh dhe ta rrëzojnë këtë qeveri siç bëjnë në Bullgari e vende të tjera. Partia Demokratike nuk rritet. Mostakimet 7 muaj pas zgjedhjeve, mosmbajtjen e asnjë lloj përgjegjësie, demokratët janë lodhur dhe ne nuk duhet të kemi frikë t’i themi të vërtetat ashtu siç janë. Çdo demokrat duhet të dëgjohet, mosdëgjimi i tyre është një gabim i rëndë.

PD-ja duhet të hapet, të besojë te brezi i ri, dhe pa diskutim të fitojë, freskia sjell shpresë. Duhet ta themi me zë të lartë dhe pa asnjë kompleks, ne e kemi forcën për ta sjellë rotacionin në këtë Shqipëri, ne e kemi forcën për ta fituar, dhe fitorja nuk është një opsion është një detyrim që i kemi demokratëve dhe shqiptarëve. Kjo është ora e kurajës, e përgjegjësisë, është ora ta themi me zë të lartë, PD duhet të hapet!