Një ditë përkujtimore është mbajtur ditën e sotme në Komunën e Çairit, në nderim të jetës dhe veprës së artistit të mirënjohur, Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë. Bashkëshortja e Shpatit, Selvije Jao, ka kujtuar bashkëshortin e saj, duke thënë se ai e ka mbështetur, respektuar dhe dashur. Ajo e cilësoi Shpatin si njeriun që e kompletoi dhe e deshi pa kushte, ndërsa foli me emocion për djalin e tyre, Roelin, i cili ende nuk e ka kuptuar humbjen e të atit.
“Një njeri që mua si Selvije më ka kompletuar, më ka mbështetur, më ka respektuar dhe më ka dashur. Mbi të gjitha, më ka falë një djalë si drita. Roeli është vetëm 3 vjet e gjysmë dhe ai ende nuk e kupton se nuk e ka babain e tij. Unë nuk e di si do të rritet me këtë dhe nuk e di kush do t’i tregojë, por e di që ai do të jetë shumë krenar me babain e tij. Shpati është përkushtuar deri në frymën e fundit që ai të rritet me të gjitha të mirat. I kam thënë edhe Shpatit, ti je shumë i mirë për këtë botën tonë mizore”, tha Selvija













