Momenti kur biznesmeni Mondi Mëhalla qëllohet brenda Range Rover (FOTO)

ELBASAN- Janë publikuar pamjet nga vrasja e biznesmenit 43-vjeçar Edmond Mëhalla në Elbasan. Siç shihet edhe në pamje, autori është i veshur me kapuç për të shmangur identifikimin nga kamerat e sigurisë.

Në pranga për krimin u vu ish-ortaku i viktimës Xhino Ago dhe 52-vjeçari Kujtim Pisha, roja i karburantit për “Moskallëzim krimi”. Gjithashtu policia gjatë hetimeve gjeti dhe sekuestroi dokumentet e shitblerjes së automjetet që u gjet i djegur në një fshat të Elbasanit, 3 celularë dhe 2 DVR.

Po ashtu policia ka shpallur në kërkim dy persona, Marselo Arani 32 vjeç dhe Armando Kola, 35 vjeç. Arani banues në Elbasan ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, ndërsa Kola banues në Laç, akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Si ndodhi ngjarja?

Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.

Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.

Atentatorët, pasi janë siguruar se 43-vjeçari ndërroi jetë, janë larguar me mjetin tip “Audi” të zi në drejtim të aksit Elbasan-Librazhd. Policia ndërkohë njoftoi se një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.