Shembje dherash pranë urës së Shëmrizës rrezikon segmentin rrugor

Një shembje dherash pranë urës në Shëmrizë ka shkaktuar krijimin e një gropë të thellë, duke rrezikuar seriozisht stabilitetin e segmentit rrugor në këtë zonë. Autoritetet e mirëmbajtjes rrugore kanë ndërhyrë menjëherë, duke mbushur hapësirën me gurë për të shmangur përkeqësimin e situatës.

Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes së parë, gjendja mbetet e rrezikshme. Siç dëshmohet edhe nga pamjet në terren, kalimi i mjeteve kërkon kujdes maksimal, pasi struktura e rrugës vijon të jetë e brishtë.

Prurjet e larta të lumit Devoll, që prej ditësh ushtron presion të shtuar mbi skarpatat, vijojnë të përbëjnë rrezik për rrëshqitje të mëtejshme. Për këtë arsye, autoritetet i bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të lëvizin me kujdes të veçantë deri në rikuperimin e plotë dhe stabilizimin e rrugës.