Elbasan, 7 Nëntor 2025
Policia e Elbasanit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Night”, duke vënë në pranga një shtetas të dyshuar për disa raste vjedhjesh në qytet.
Në kuadër të hetimeve dhe veprimeve operative për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura kohët e fundit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan shtetasin Xh. M., 31 vjeç.
Nga hetimet rezulton se më 19 tetor 2025, i dyshuari ka hyrë në banesën e shtetasit E. L., në lagjen “Katund i Ri”, dhe ka vjedhur sende me vlerë dhe para. Pas kallëzimit të pronarit, policia ka kryer kontrolle në lokalin që administronte 31-vjeçari, ku u gjetën disa prej sendeve të vjedhura.
Gjithashtu, më 5 nëntor 2025, i njëjti shtetas dyshohet se ka vjedhur materiale në një magazinë në të njëjtën lagje.
Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tij kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.













