Shfrytëzonte 2 kineze për prostitucion, arrestohet tutorja 47-vjeçare

Një 47-vjeçare kineze ka rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi shfrytëzonte 2 gra gjithashtu kineze për prostitucion.

Këto të fundit 44 dhe 46 vjeçe, të cilat do të hetohen në gjendje të lirë e ushtronin këtë veprimtari në apartamentin ku jetonin.

Vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, bazuar në informacionet e siguruara për një rast prostitucioni, kanë organizuar dhe finalizuar në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, operacionin policor të koduar “Foreign 3”. Në kuadër të këtij operacioni:

-u arrestua shtetasja kineze F. Z., 47 vjeçe, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”;

-nisi procedimi penal për shtetaset kineze D. W., 44 vjeçe, dhe L. C., 46 vjeçe, për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.

Shtetasja kineze F. Z. shfrytëzonte për prostitucion, 2 shtetaset e tjera kineze, të cilat e ushtronin këtë veprimtari kriminale në apartamentin ku banonin.

Vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.