Dramë në Maliq – Zjarr në banesë, humb jetën nëna, dy fëmijë në spital

Maliq, 19 tetor 2025 – Një ngjarje tragjike është regjistruar mëngjesin e sotëm në qytetin e Maliqit, ku një banesë është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar pasoja të rënda në njerëz.

Si pasojë e zjarrit, kanë marrë djegie trupore tre persona – një nënë dhe dy fëmijët e saj të mitur. Ata u transportuan me urgjencë nga ambulanca drejt Spitalit Rajonal të Korçës për të marrë ndihmën e specializuar mjekësore.

Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, nëna e fëmijëve, për shkak të asfiksisë dhe plagëve të marra nga zjarri, ka ndërruar jetë në spital.

Grupi hetimor dhe shërbimet zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit, ndërkohë që vijon trajtimi i fëmijëve në spital.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.