Vrasja e gjyqtarit, gjithçka dihet deri më tani dhe çfarë thotë policia

Të shtëna me armë zjarri në Gjykatën e Apelit në Tiranë, plagoset me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja, humb jetën pak minuta më vonë ndërsa u dërgua në spital.

Në këtë krim të paprecedentë janë plagosur edhe dy qytetarë, babë e bir. Rakip dhe Ervis Kurtaj gjendeshin në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit, raporton noa.al.

Burime zyrtare nga Policia e Shtetit të pyetur nga noa.al thanë se është arrestuar autori i dyshuar i krimit, Elvis Shkëmbi dhe është sekuestruar arma e krimit, një pistoletë

Çfarë tha policia zyrtarisht

Tiranë/Informacion paraprak

Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces).

Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit.

Në vijim do të jepet informacion më i plotë për ngjarjen.

Dinamika e ngjarjes me të dhëna në vendin e tragjedisë

Mësohet se një person është futur i armatosur në ambientet e gjykatës dhe ka qëlluar me armë gjyqtarin e Apelit, Astrit Kalaja, teksa ai ndodhej në sallën e gjyqit.

Nga të dhënat e para duket që autori të ketë vepruar i vetëm dhe është e paqartë se si ka arritur të futet me armë zjarri brenda mjediseve të gjykatës së Apelit.

I dyshuari, fillimisht nën kërcënimin e armës së zjarrit ka kërcënuar personel të gjykatës për të kuptuar se ku gjendej gjyqtari Astrit Kalaja.

Pasi ka lokalizuar vendndodhjen e Kalasë, në sallën e gjyqit, autori ka hapur zjarr dhe e ka plagosur rëndë atë.

Në këtë sulm raportohet se janë plagosur edhe dy qytetarë të tjerë. Edhe këta dy persona, qytetarë të pranishëm në proces gjyqësor, janë dërguar për ndërhyrje mjekësore në Spitalin e Traumës.

Raportohet se Kalaja është dërguar pa shenja jete në urgjencën e Traumës pais kishte marrë marrë plumb në zemër.

Aktualisht siç raporton gazetari ynë në vendngjarje, shihen forca të shumta policie që kanë rrethuar portën hyrëse të Gjykatës së Apelit dhe policë të shumtë që vrapojnë brenda rrethimit të institucionit.

Më 2019, Kalaja u konfirmua nga vetingu

Më 20 dhjetor 2019, akomisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi të premten me shumicë votash, atëherë gjyqtarin e Apelit Shkodër, Astrit Kalaja.

KPK bëri me dije se një prej çështjeve që iu vu në dukje gjyqtarit gjatë seancës dëgjimore do të dërgohej për procedim disiplinor.

Kalaja, për shumë vite gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, u hetua nga trupa e komisionarëve e kryesuar nga Olsi Komici, anëtare Brunilda Bekteshi dhe me relator Lulzim Hamitaj.

Ai ka lindur në Shkodër dhe është diplomuar në fakultetin e drejtësisë me titullin ‘jurist’. Pas mbarimit të studimeve ai është emëruar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe që nga viti 2004 ushtroi detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Shkodër. Në vitin 2011 ai ka përfunduar një master në Universitetin e Tiranës dhe ka shërbyer gjithashtu si anëtar i Kolegjit Zgjedhor.

Që nga viti 2023, Kalaja ishte gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.