Flakët përfshijnë 10 fshatra në Gramsh, mbi 40 banesa të shkatërruara. Dëme të mëdha materiale.
Ja bilanci paraprak Gramsh, 14 Gusht 2025/ Vatrat e zjarrit që kanë përfshirë territorin e Gramshit janë zhvendosur në zona të reja që nga mbrëmja e kaluar, duke përfshirë fshatin Ermenj, në Njësinë Administrative Skënderbegas, si dhe Teqen e Dushkut, ku flakët vijojnë të jenë aktive. Dendësia e madhe e pyjeve ka vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve të emergjencave civile, të cilat po punojnë për izolimin e zjarrit.
Pjesa lindore e fshatit Ermenj vazhdon të digjet, dhe nëse zjarri përhapet më tej, ekziston rreziku që të kalojë në territorin e Prefekturës Korçë. Ndërhyrjet intensive gjatë orëve të vona të mbrëmjes dhe mëngjesit të sotëm kanë arritur të ndërpresin përhapjen e flakëve në drejtim të fshatit Nartë, duke shmangur për momentin një situatë më të rëndë.
Në Njësinë Administrative Kukur, situata vijon të mbetet shqetësuese, megjithëse ekipet e emergjencës kanë arritur të neutralizojnë një pjesë të vatres që kërcënonte përhapjen. Ndërkohë, vatra në Kodovjat është mbajtur nën monitorim dhe nuk është shënuar riaktivizim gjatë orëve të fundit.
Bilanci i dëmeve deri më tani është i rëndë: 42 banesa të shkatërruara, 130 krerë bagëti të imta, 22 gjedhë, një thundrak, 80 koshere bletësh dhe një numër i konsiderueshëm shpendësh të ngordhur. Autoritetet kanë nisur procesin e groposjes së kafshëve për të parandaluar rrezikun e epidemive, ndërsa shërbimi veterinar ka përpiluar procesverbalet përkatëse.
Numri i personave të evakuuar është rritur në 46, pasi mbrëmë u akomoduan edhe gjashtë banorë të tjerë në konviktin shtetëror, përveç 40 të evakuuarve një ditë më parë.
Në operacionet e shuarjes janë angazhuar rreth 50 trupa të ushtrisë, shtatë mjete zjarrfikëse dhe mbi 200 vullnetarë. Deri tani, flakët kanë prekur rreth 10 fshatra të Gramshit, ku në Bletëz dhe Shëmbërdhenj është shënuar shkatërrim i plotë.
Autoritetet lokale dhe qendrore bëjnë apel për kujdes të shtuar nga banorët dhe theksojnë se operacionet për neutralizimin e zjarreve do të vijojnë gjatë gjithë ditës.
