Gjyqtari shpall moskompetencën! Shtyhet seanca në GJKKO për ish-Presidentin Ilir Meta

Ka përfunduar seanca në GJKKO për ish-Kreun e Shtetit, Ilir Meta, i cili kërkoi lirinë.

Mësohet se seanca ndaj Presidentit të PL-së është shtyrë, kjo për shkak se gjyqtari Erjon Bani ka shpallur moskompetencën për të vendosur në lidhje me zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Ilir Metën.

Shpallja e moskompetencës u bë pas kërkesës së avokatit Kujtim Cakrani, kjo për shkak se Erjon Bani nuk ka qenë gjyqtari i çështjes së Ilir Metës, por ka qenë i gatshëm.

Vetë ish-Kreu i Shtetit, nuk ishte i pranishëm në seancë dhe u përfaqësua nga avokatët e tij.

“Ilir Meta do të lirohet, nuk ka arsye që të vazhdojë në paraburgim. Beteja do të vazhdojë”, tha avokati i tij.

Më 6 Gusht, përfaqësuesit ligjorë të Ilir Metës, dorëzuan pranë GJKKO kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit personal ndaj klientit të tyre.

Në kërkesë, argumentohej se SPAK kishte përfunduar hetimet në ngarkim të Ilir Metës, dhe për rrjedhojë, vijimi i masës së paraburgimit nuk kishte më bazë procedurale.

Kujtojmë që më 4 Gusht, Ilir Metës iu komunikua në SPAK mbyllja e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme për dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA