KORÇË- Kostandin Dramolli është proceduar penalisht për shkak se ka ka goditur me gurë xhamat e Bashkisë Korçë. Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur dje në orën 02:15 të mëngjesit.
“Specialistë për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin K. D., 27 vjeç, banues në Korçë, pasi rreth orës 02:15, ka goditur me gurë xhamat e Bashkisë Korçë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ka qenë vetë Dramolli që ka regjistruar gjithçka drejtpërdrejt në rrjete sociale, ku është shprehur se shkaku i veprimeve të tij është prishja e strukturave në hapësirat publike në lagjen e qytetit, ku ai banon.
Kostandin Dramolli, ka qenë ish-portier i Skënderbeut, ndërsa gjatë karrierës së tij, përveç klubit korçar, ku u shpall kampion me skuadrën U-19 të Skënderbeut, ka qenë edhe pjesë e Bylisit, Pogradecit, skuadrës greke Pierikos dhe Maliqit. Te kjo e fundit ka mbajtur dhe shiritin e kapitenit.
Por pasioni për muzikën rep, bëri që ai të hiqte dorë përfundimisht nga futbolli. Dramolli ka qenë edhe i dënuar nga gjykata me burg, ndërkohë Dramolli njihet edhe me nofkën “Çekiçi 14”, i cili ka publikuar edhe 2 këngë të tij.














