ANGLI – Sulmuesi 22-vjeçar ka vendosur që të mbyllë aventurën e tij me Chelsea, për të nisur një të re me ekipin tjetër të Premier League.
Sipas Fabrizio Romanos, Broja do të kryejë vizitat mjekësore brenda 24 orëve të ardhshme dhe më pas do të prezantohet si përforcimi më i ri i Burnleyt.
Ky transferim vjen pasi Burnley pranoi kërkesat financiare të Chelseat dhe arriti marrëveshje me vetë lojtarin. Sipas mediave angleze, sulmuesi i Kombëtares shqiptare pritet të firmosë me Burnley kontratë 5-vjeçare.
Ky është një vendim që ka habitur jo pak, pasi Broja ishte kërkuar me ngulm nga skuadra si RB Leipzig, Stuttgart, Parma dhe PSV Eindhoven, por sulmuesi vendosi të qëndrojë në elitën e futbollit anglez dhe të provojë veten te një ekip ku ka më shumë hapësira për të qenë titullar.
Ende nuk dihet sa do të përfitojë Chelsea nga ky operacion. Kujtojmë se largimi përfundimtar për Armando Brojën nga blutë e Londrës vjen pas shumë huazimeve në ekipe si Vitesse, Southampton, Fulham apo Everton.
