TIRANË- Vendgrumbullimi i mbetjeve pranë inceneratorit në Elbasan u përfshi nga flakët disa ditë më parë ndërsa zjarri vijoi aktiv për rreth një javë. Kjo situatë shkaktoi shqetësime për pasojat mjedisore që solli dhe jo vetëm. Tymi toksik i çliruar nga djegia e mbeturinave solli shqetësime edhe të banorët e zonës.
Lidhur me situatën, drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako, i ftuar në emisionin Log në Neës 24 deklaroi se flakët në Elbasan janë izoluar plotësisht. Ai u shpreh se zona është monitoruar me dron dhe nuk ka më temperatura që mund të shkaktojnë shpërthime. Sipas Çakos, aktualisht nuk ka më rrezik për ndonjë incident tjetër në landfill.
“Landfilli i Elbasanit mori flakë disa ditë dhe dje flakët u izoluan totalisht. Zjarri ishte i konsiderueshëm, edhe nga pasoja që sillte tymi. Sot nuk ka zjarr në landfill. Landfillin e Elbasanit e monitoruam me dron, që dmth që në landfill nuk ka temperaturë, e nuk mund të shkaktohet më shpërthim i landfillit. Nuk ka rrezik për të shpërthyer.”, tha Çako.
