Pas Vlorës, Rama ultimatume në dy qytete tjera, kërkon dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të bashkisë së Durrësit dhe Fierit

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme takime me drejtuesit vendorë dhe deputetët e qarkut në bashkinë e Durrësit dhe Fierit.

Në takimin në bashkinë e Fierit, kreu i qeverisë ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë drejtuesve të bashkisë si dhe drejtuesve të institucioneve të cilat nuk kanë përmbushur detyrën.

Gjithashtu raportohet se ka shprehur kritika të ashpra për menaxhimin e hapësirave publike të zaptuara.

Pas Fierit, Rama ka zhvilluar takime edhe në bashkinë e Durrësit, ku kërkesa ka qenë e njëjtë: dorëheqja e drejtorëve vendorë.

Bashkia e Vlorës ishte e para që u përball me ultimatumet e kryeministrit, ku dhanë dorëheqjen 21 drejtorë të këtij institucioni.

Vendimi i tyre erdhi një ditë pas takimit që kryeministri Rama pati për rreth 1 orë të enjten në këtë bashki, ku në qendër të kritikave ishte kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha.

Këto takimë zhvillohen në kuadër të iniciativës së nisur nga qeveria në bashkitë e vendit për lirimin e hapësirave publike.