Vajza e Presidentit Trump dhe Jared Kushner shëtitje te Lungomare, ruhen nga gati 200 agjentë të shërbimeve amerikane (FOTO)

Ivanka Trump, vajza e Presidentit Donald Trump dhe Jared Kushner pak ditë më parë kanë zhvilluar një vizitë në Vlorë.

Sipas mediave të huaja, ata janë ndalur pikërisht tek një ekspeditë në ishullin e Sazanit, vend ku pritet edhe të investohet prej tyre, pas vendimit të autoriteteve shqiptare.

Ajo që ra në sy ishin masat e shtuara të sigurisë.

Tensionet mes Iranit, Izraelit dhe SHBA-së sollën në Vlorë rreth 200 agjentë të shërbimeve amerikane për ruajtjen e vajzës së presidentit të Amerikës dhe dhëndrit të tij, me origjinë hebreje.

Ata janë parë edhe në qytetin e Vlorës, ku çifti ka shëtitur në shëtitoren ‘Lungomare’ dhe kanë drekuar në një restorantin Gjurma me shef Aldo Mehmetin.

Vizita e çiftit vjen në kohën kur mediat ndërkombëtare kanë rikthyer vëmendjen mbi projektin e paralajmëruar nga Kushner për ndërtimin e një resorti ultra-luksoz në ishullin e Sazanit. Projekti, me një vlerë të parashikuar investimi prej 1.4 miliardë eurosh, synon ndërtimin e një marine turistike, rezidencash elitare, zone gastronomike dhe akomodimi në një sipërfaqe prej 45 hektarësh.

Sazani, ish-bazë ushtarake me 562 hektarë, është nxjerrë tashmë nga përdorimi ushtarak në dhjetor të vitit të kaluar, duke hapur rrugë për zhvillimin turistik të zonës.