Sëmundjet e zemrës mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri.
Sipas të dhënave të fundit nga INSTAT, sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut zunë 52,9% të totalit të vdekjeve në 2024, nga 51,7% në vitin 2023.
Por cilët janë disa nga faktorët që ndikojnë në sëmundjet e zemrës sipas mjekëve specialistë?
“Shkaqet kryesore të sëmundjeve kardiovaskulare janë disa. Kryesisht janë mosha, yndyrnat e larta, hipertensioni, diabeti i sheqerit, pirja e duhanit, jeta sedentare, pirja e alkoolit, obeziteti”, tha mjekja kardiologe Nevila Çaushi per Vizion Plus.
Mjekja kardiologe Nevila Çaushi nënvizon disa nga simptomat më të zakonshme të sëmundjeve kardiovaskulare, ndërsa thotë se nuk mungojnë as rastet e pacientëve në moshë të re.
“Pacientët me sëmundje kardiovaskulare vijnë që në moshë të re. Kemi pasur raste kur pacientët kanë qenë rreth moshës 40 vjeç me infarkte. Moshat e reja konsumojnë shumë pijet energjike, një ndër faktorët e riskut. Ndërsa këta të rinj që konsumojnë kafe apo droga të ndryshme, kanë një probabilitet shumë më të lartë për të pasur probleme kardiovaskulare sesa personat që nuk i konsumojnë. Një shqetësim në kraharor ndryshe nga normalja, një peshë, një dhimbje në kraharor, një ndjesi menjëherë të drejtohen te kardiologu për të bërë një vlerësim të zemrës apo edhe të enëve të gjakut.”
Temperaturat e larta shtojnë edhe më shumë problemet me zemrën, prandaj mjekët këshillojnë për më shumë kujdes të shtuar.
“Të bëjnë një jetë sa më aktive, një jetë me aktivitet fizik, të mos konsumohet duhani, alkooli. Në periudhën e verës, pacientët kanë probleme më shumë sa i takon luhatjeve të vlerave të tensionit apo gjendjes së përgjithshme. Vetë temperaturat e larta zgjerojnë enët e gjakut dhe bëjnë që të bjerë edhe tensioni. Pirja e ujit, qëndrimi në ambiente të freskëta.”
Gjatë vitit 2024, në Shqipëri janë regjistruar 22.102 vdekje, duke shënuar një rritje prej 3,8%, krahasuar me 2023-shin.
