I dënuar me 22 vite burg për vr*asje të mbetur në tentativë dhe krime të rënda nga Gjykata e Elbasanit, arrestohet Astrit Sinanaj

Tiranë / Elbasan, 14 Qershor 2025 – Një nga personat më të kërkuar për krime të rënda është ndaluar nga Policia e Elbasanit, pas një urdhri të lëshuar nga Prokuroria më 13 qershor 2025. Bëhet fjalë për Astrit Sinanaj, 49 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte dënuar me 22 vite burg, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 13 vite.

Sinanaj ishte dënuar për disa vepra të rënda penale, përfshirë:

“Vrasje me dashje, kryer në mënyrë shumë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, e mbetur në tentativë,

“Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”,

“Shkatërrim prone me eksploziv”,

si dhe “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit në Tiranë.

Aktualisht, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme ligjore.