Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në kuadër të operacionit policor të koduar “Skeda”, kanë arrestuar një 40-vjeçar të dyshuar për disa raste vjedhjesh në qytet.
Shtetasi A. Ç., i njohur edhe me emrin A. B., banues në Elbasan, është vënë në pranga pas administrimit të menjëhershëm të kallëzimeve nga katër qytetarë. Ai rezulton i dënuar më parë për vepra të ngjashme penale.
Nga hetimet paraprake dyshohet se më datë 11 qershor 2025, në ambientet e spitalit rajonal të Elbasanit, ka vjedhur shuma parash nga çantat e tre punonjëseve. Vetëm një natë më pas, më 12 qershor rreth mesnatës, ka thyer derën e një dyqani elektronik në lagjen “Sul Paprri” dhe ka marrë pajisje elektronike të ndryshme.
Pajisjet e vjedhura u gjetën dhe u sekuestruan nga shërbimet e Policisë në një banesë të braktisur, në të njëjtën lagje ku ndodhi edhe vjedhja e dytë.
Policia vijon hetimet për të zbuluar nëse 40-vjeçari është i përfshirë në ngjarje të tjera kriminale të ngjashme në qytetin e Elbasanit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme ligjore.
