Plakja e popullsisë është një nga sfidat më të mëdha të Shqipërisë. Ndaj qeveria ka miratuar dokumentin e moshimit dhe planin e veprimit 2025-2030, i cili nga njëra anë tenton të përmirësojë kushtet e pensionistëve dhe nga ana tjetër shtyn në kohë gëzimin e këtij statusi që iu mundëson veç të tjerash edhe disa benefite.
Sipas dokumentit, të moshuarit në vend pritet të marrin një pension të 13-të. Në këtë dokument thuhet se brenda vitit 2030 do të rritet pensioni mesatar, mosha e daljes në pension si dhe formula e indeksimit. Gjithashtu, qeveria planifikon të rrisë pensionin mesatar në qytet nga 18 mijë e 341 lekë që është aktualisht në mbi 27 mijë e 511 lekë. Ndërsa në fshat do të arrijë në 16 mijë e 576 lekë.
Por këto nuk janë ndryshimet e vetme që do të ndodhin për pensionistët. Qeveria synon që personave mbi moshën 60 vjeç, të mos paguajnë taksën e shtëpisë dhe t’u reduktohet çmimi i energjisë. Ndërkohë për të gjithë ata që kanë dalë në pension, iu hiqet taksa vjetore e makinës. Pensionistëve që punojnë do u ulet tatimi mbi pagën dhe do ketë bonuse në sajë të performancës.
Reforma e pensioneve
Ndonëse e pranon që të moshuarit janë shtresa më e varfër e shoqërisë, sërish plani është të rrisë moshën e daljes në pension dhe jo t’i rrisë ato, por të rrisë kohëzgjatjen e qëndrimit në punë. Më saktë ky është veçse një argument që mbështet kërkesën e BE për të përshpejtuar kohën kur daljet në pension mes burrave e grave të jetë e njëjtë. Jo në 2056-ën siç e parashikon reforma aktuale, por më herët.
“Ruajtja dhe zhvillimi i reformimit gradual dhe në mënyrë të qëndrueshme i moshës së daljes në pension për burrat dhe gratë, është një nga mënyrat për të krijuar një pavarësi financiare për pensionistët. Përmirësimi gradual i të ardhurave të pensioneve më të ulëta, duke ofruar mbështetje financiare të qëndrueshme për të moshuarit më të varfër, është domosdoshmëri.
Kjo do të arrihet nëpërmjet rishikimit të ligjit nr. 104/2014, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, ‘Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar. Institucionet përgjegjëse për zbatimin janë Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore”, citohet në Strategjinë e moshimit.
Sipas hartuesve, skema aktuale e pensioneve ka nevojë të rishikohet, duke rivlerësuar moshën e daljes në pension për burrat dhe gratë, si dhe duke rishikuar formulën, pa përmendur konkretisht moshën.
Një element tjetër në fokusin e reformës që ka filluar të hulumtohet dhe praktikohet nga qeveria shqiptare, citohet në dokument është edhe indeksimi i pensioneve, i cili synohet që me skemën e re të bëhet i diferencuar sipas të ardhurave nga pensionet, nëpërmjet përmirësimit gradual të të ardhurave të pensionistëve, e kryesisht pensioneve më të ulëta, me qëllim rritjen e tyre.
Politika që aktualisht po zbatohet është ajo e rishikimit të masës së pensionit minimal, atij mesatar dhe pensionit social, shoqëruar me më shumë fushata informuese.
Lehtësirat
Me qëllim reduktimin e varfërisë për të moshuarit, një nga drejtimet është dhe krijimi i lehtësirave fiskale, të tilla si përjashtimi nga taksat për pronat e pasurive të patundshme të pronarëve të moshuar.
“Kjo vlen për taksat që vendosen për shtëpitë e banimit, tokën, apo ullinjtë e vreshtat në zonat rurale apo dhe në rastet e apartamenteve, shtëpive në bregdet apo zona malore, të cilat mund të përdoren si AirBnB dhe shfrytëzohen për përfitime personale me qëllim rritjen e të ardhurave dhe reduktimin e varfërisë kur pronarët janë individë të moshës 60+”, citohet në dokument, i cili shton, gjithashtu, edhe për lehtësira fiskale që lidhen me shpenzime që lidhen me kujdesin afatgjatë përgjatë gjithë ciklit të jetës të tilla si heqja e tarifave të shërbimit për shtëpitë e pleqve ose për shërbimet shëndetësore, apo taksat vendore.
Duke i klasifikuar të moshuarit si kategori në nevojë një tjetër lehtësi parashikohet reduktimi i çmimeve të energjisë elektrike, mbulimi i kostove të strehimit nëpërmjet bonusit të qirave, apo mbulimi i kostove të transportit publik nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, ndërhyrje të cilat përmirësojnë jetesën e individëve të moshuar.
Rishikimi i listës së barnave të rimbursueshme me qëllim reduktimin e kostove të jetesës, e veçanërisht për të moshuarit që janë me diabet, Alzhaimer, Parkinson, probleme të shëndetit mendor apo që kanë humbur autonominë, të cilët jetojnë të vetmuar është një tjetër mekanizëm i parashikuar në strategji me qëllim për t’u zbatuar deri në 2030-ën.
Plani për të moshuarit deri në 2030:
-100% e pensionistëve që marrin pensionin social apo minimal përjashtohen nga taksa mbi pronën dhe përfshihen në listën e klientit në nevojë;
-Të gjithë pensionistët përfitojnë kartën e pensionistit nga pushteti lokal;
-Heqja e taksës vjetore për automjetet vetiake të të moshuarve 65+ dhe reduktimi i gjobave dhe kamatëvonesave;
-Krijimi i një fondi kontigjence për mbrojtjen e të moshuarve në rastet e krizave;
-Përfshirja e të moshuarve 60+ në kategorinë e klientit në nevojë për efekt të përfitimit nga reduktimi i çmimit të energjisë elektrike;
-Lëshimi i kartës së pensionistit nga të 61 bashkitë, duke mundësuar përfitimin e transportit publik falas, heqjen e detyrimeve si taksa e pushtetit vendor, për të moshuarit dhe lehtësira të tjera në strehim apo shërbime. (Model suksesi – Bashkia Korçë);
-Rishikimi i listës së barnave të rimbursueshme.
