ITALI- Një 16-vjeçar shqiptar është plagosur rëndë pas një sulmi me thikë të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Vicenza, në një zonë afër qendrës historike të qytetit. Sipas mediave italiane i mituri u godit me thikë në gjoks dhe aktualisht ndodhet i shtruar në njësinë e kujdesit intensiv pediatrik të spitalit lokal. Edhe pse në gjendje të rëndë, jeta e tij nuk është në rrezik, bëjnë me dije autoritetet shëndetësore.
Gjithashtu bëhet e ditur se autori i dyshuar është një tjetër i ri, ndoshta bashkëmoshatar i viktimës. Ndërkohë motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, por një nga pistat që po hetohet është tentativa për grabitje që përfundoi në dhunë. Por hetuesit, megjithatë, nuk përjashtojnë as arsye të tjera pas agresionit.
Dëshmitarë të rastësishëm që ndodheshin në zonë dhanë alarmin, ndërsa ambulanca e Shërbimit Emergjencës Suem 118 mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe i dha ndihmën e parë të plagosurit përpara se ta transportonte drejt spitalit. Autoritetet po punojnë për identifikimin e autorit.
