Qëlloi me armë çiftin e fqinjëve pas debatit për qenin, vetëdorëzohet në polici Shpëtim Osma

Shpëtim Osma, autori i plagosjes me armë zjarri të çiftit të bashkëshortëve Sami dhe Nadire Disha, është vetëdorëzuar në polici pas disa orësh ndjekjeje nga forcat e rendit.

Ngjarja ndodhi paraditen e sotme në fshatin Gos, Rrogozhinë, rreth orës 10:15, ku pas një debati për qenin që kishte hyrë në oborrin e fqinjëve, situata agravoi në konflikt dhe më pas në përdorim arme. Osma, i cili është fqinj me çiftin, dyshohet se ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tyre, duke i plagosur.

Sipas burimeve mjekësore, të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Pas ngjarjes, forcat e Policisë shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, rrethuan zonën dhe me mbështetjen e forcave operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nisën kërkimet për kapjen e autorit. Pas disa orësh në arrati, Osma u vetëdorëzua në ambientet e Policisë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.