Goditje, kanosje dhe armë e ftohtë në Elbasan – procedohen penalisht katër persona

Elbasan, 3 qershor 2025 – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan kanë referuar materialet në Prokurori për nisjen e procedimeve penale ndaj katër shtetasve, të përfshirë në ngjarje të ndryshme penale në qytet.

Sipas njoftimit zyrtar, shtetasit A. Gj., 54 vjeç dhe D. Gj., 49 vjeç, po hetohen pasi kanë goditur me sende të forta një 33-vjeçar, shtetasin A. Sh., për motive të dobëta.

Ndërkohë, një tjetër ngjarje është regjistruar në një market, ku shtetasi D. Z., 52 vjeç, dyshohet se, në gjendje të dehur, ka kanosur me fjalë një punonjëse të këtij biznesi.

Në një rast tjetër, një 17-vjeçar është proceduar penalisht pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe u sekuestrua një përforcues grushti, i konsideruar si armë e ftohtë.

Materialet procedurale për të gjithë këto raste janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme hetimore.