Një ngjarje tronditëse ka ndodhur këtë pasdite në një piceri në zonën e Ali Demit, ku një 15-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri pas një konflikti të çastit.
Sipas informacioneve paraprake, i mituri është qëlluar rreth orës 17:10 dhe është dërguar menjëherë në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shkak i ngjarjes dyshohet të jetë një përplasje për motive të dobëta mes të miturit dhe një personi tjetër, i cili, sipas burimeve nga Policia, është tashmë i identifikuar. Emri i autorit nuk bëhet ende publik për shkak të hetimeve që janë në vijim.
Forcat e rendit dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për të mbledhur provat dhe dëshmitë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të incidentit po vijojnë me intensitet.
Kjo ngjarje rikthen edhe njëherë vëmendjen te rreziku i përhapjes së armëve të zjarrit dhe përfshirjes së të miturve në konflikte të dhunshme.
L.L.














