Parashqevi Simaku rrëfen për herë të parë largimin nga Shqipëria: “E nisa me një pasaportë të blerë… ishte përrallë!”
Në një rrëfim prekës dhe plot emocione për emisionin “Opinion”, këngëtarja e njohur shqiptare Parashqevi Simaku ka treguar për herë të parë detaje të panjohura rreth largimit të saj nga Shqipëria.
Ajo ka ndarë me publikun historinë e udhëtimit të saj të parë drejt Italisë dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke rrëfyer se gjithçka nisi me një pasaportë të blerë, në një kohë kur ishte në vështirësi ekonomike.
“Nëna ime më tha, do shkoj të shoh vëllain tim në Itali, që ishte një nga këto refugjatët. Qante gjithmonë, aman tha se ti je shumë e njohur”, kujton këngëtarja, duke shtuar se fillimisht kishte shkuar në ambasadën italiane bashkë me një mikeshë të saj.
Aty ndodhi një takim i papritur: “Ai ambasadori italian më kishte parë gjithmonë në këto mbrëmjet që bënte partia për Krishtlindje dhe më mbante mend. I thashë të lutem… ‘Po ti je Parashqevia’, tha! ‘Mos ki merak’, tha, ‘se do e marr Dash Dervishin në telefon. Do bësh gati guest room’, se isha edhe e varfër.”
Simaku tregon me sinqeritet se në atë kohë nuk kishte asnjë lek: “S’kisha asnjë lekë! Dhuratë e kisha, më sollën atë makinën diplomatike.”
Fati i saj mori një kthesë të re kur u njoh me një çift nga New York-u, shqiptarë me origjinë nga Dibra e Maqedonisë. Ata e ndihmuan që të nisej përtej oqeanit: “Vjen një burrë e grua nga New York-u, dhe ata donin që të argëtoheshin, të hapnin muzikë në New York. Ishin nga Dibra e Maqedonisë, burrë e grua. Erdhën dhe më blenë një pasaportë. Ishte pasaportë e blerë, kalabreze. Victoria Marini! Unë flisja italisht, dukesha si italiane.”
Më 9 mars 1992, ajo mbërriti në New York. Aty përjetoi një emocion të veçantë, që e ka ruajtur gjithmonë në kujtesë: “U shokova kur erdha. Gjëja e parë thoja është pse është qielli kaq i lartë, në Shqipëri ato retë i kemi si kapele. Më dukej sikur kisha shkuar në një botë tjetër.”
Këngëtarja zbulon se shqiptarët në Amerikë e pritën me shumë dashuri dhe përkrahje: “Shqiptarët këtu më donin shumë.” Ajo thekson se në atë kohë kishte shumë sukses me muzikën, dhe jeta e saj mori për mirë: “Për ne ishte përrallë!”
