Vrasja e noteres në Greqi, 2 nga 3 shqiptarët e arrestuar pranojnë krimin

GREQI- Tre shqiptarë janë vënë në pranga nga autoritetet greke si autorë të dyshuar të vrasjes së noterës 69-vjeçare Mariza Tertseti Papadata, e cila u gjet e pajetë pranë shtëpisë së saj në Zakynthos në muajin shkurt. Të arrestuarit janë baba, bir dhe xhaxha.

Emrat e tyre nuk janë bërë publikë, por lidhja e tyre familjare dhe origjina shqiptare janë konfirmuar zyrtarisht nga policia. Ngjarja u zbardh pas hetimeve të Departamentit të Vrasjeve, ku një rol kyç pati rrëfimi i xhaxhait, banues në Nemea. Ai u shoqërua për marrje në pyetje dhe, pas përballjes me provat e mbledhura, pranoi përfshirjen dhe zbuloi detaje të planit për grabitje.

Sipas tij, një ditë para ngjarjes, kishte udhëtuar drejt ishullit ku banonte i vëllai, me të cilin ishin dakordësuar për të grabitur viktimën, për të cilën kishin dijeni se mbante para në banesë. Të dy vëllezërit u strehuan në një ambient me qira të marrë nga djali – i cili kishte rolin e shoferit – dhe të nesërmen, të maskuar me kapuçë, doreza dhe maska, i zunë pritë viktimës pranë banesës së saj. Sipas dëshmisë, kur ajo u përpoq të rezistonte, ndodhi përplasja fatale.

Noterja u godit me thikë në kofshë dhe humbi jetën për shkak të hemorragjisë së madhe. Mjeku ligjor konfirmoi se plagët ishin shkaktuar nga armë e mprehtë dhe se vdekja kishte ndodhur brenda pak minutash. Pas ngjarjes, babai dhe xhaxhai u larguan në këmbë për më shumë se një orë, derisa djali i mori me makinë. Rrobat e përgjakura u dogjën dhe arma e krimit u zhduk. Vetëm babai nuk ka pranuar autorësinë e goditjes, ndryshe nga djali dhe vëllai i tij, të cilët rrëfyen gjithçka.