TIRANA- Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku njëherazi drejtuesi politik i qarkut Elbasan ka dhënë shpjegime për disa orë në Prokurorinë e Tiranës. Sipas informacioneve të deri tanishme, Mazniku është thirrur për t’u pyetur lidhur me një dosje penale që është hapur nga organi i akuzës mbi bazën e kallëzimit të bërë nga Bellind Këlliçi, në kohën kur garonte për kryetar Bashkie i Tiranës, përballë Erion Veliajt dhe bëhet fjalë për rrugën “Xhon Belushi” në Tiranë.
Kjo rrugë ishte asfaltuar nga punonjësit e bashkisë në një kohë që tenderi ishte ende i hapur dhe nuk ishte shpallur asnjë fitues. Pas denoncimit, tenderi fiktiv u anulua, ndërsa në prokurorinë e Tiranës u kallëzua Veliaj.
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se Mazniku atë kohë në detyrën e nënkryetarit të Bashkisë, ishte në cilësinë e autoritetit kontraktor. Për këtë arsye, ai është thirrur në prokurori për dëshminë e tij. Gjithashtu sipas informacioneve, po vlerësohet nëse çështja do të kalojë për kompetencë të SPAK.
