Librazhd/ Dhunoi kunatën dhe kanosi, kundërshtoi edhe punonjësit e policisë, arrestohet 45-vjeçari

Librazhd, 10 prill 2025 – Dyshohet se një 45-vjeçar ka dhunuar kunatën e tij dhe e ka kanosur që të mos bëjë kallëzim, ndërsa ka kundërshtuar dhe punonjësit e Policisë gjatë shoqërimit.

Pas kallëzimit të bërë nga një 37-vjeçare, që raportoi se bashkëshorti i motrës së saj e kishte dhunuar dhe kanosur, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd organizuan menjëherë operacionin dhe arrestuan autorin, shtetasin N. P., 45 vjeç, banues në Librazhd. Gjatë shoqërimit, 45-vjeçari ka kundërshtuar punonjësit e Policisë.

Në përfundim të veprimeve, ai u arrestua në flagrancë për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja për të mos kallëzuar” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.