Me brohorima dhe daulle, kryeministri Rama inauguron tunelin e Murrizit

Kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kanë inauguruar hapjen e tunelit të Murrizit në rrugën e Arbri, të cilët u pritën me këngë e daulle.

Ky tunel do t’u vijë në ndihmë banorëve të Dibrës, të cilët tashmë mund të arrijnë në kryeqytet për rreth 2 orë.

Rama së bashku me Ballukun dhe Blendi Klosin udhëtuan me autobus një pjesë të tunelit teksa Ballukun shpjegonte punimet e përfunduara.

Balluku tha se tuneli është përfunduar plotësisht me të komponentët e tij.

“Sot hapet tuneli i Murrizit prej 3.8 km i gjatë. Është plotësisht i përfunduar me të gjithë komponentët e tij edhe nga ana ndërtimore edhe elektromekanike gjithçka është funksionale. Kemi bërë testet mbrëmë deri natën vonë. Nga ana tjetër edhe trupa e Policisë Rrugore e ka marrë detyrën për monitorimin”, tha Balluku.

Të rinjtë kishin veshur kostume popullore tradicionale të zonës për të festuar hapjen e tunelit dhe gjithashtu edhe Ditën e Verës.

Teksa përshëndeste të pranishmit në hyrje të tunelit, dëgjoheshin edhe thirrje të tilla si “mirëseerdhe Skënderbeu i Shqipërisë”, apo “ti je më i miri, e mbajte premtimin”.

Por ajo që binte në sy ishte patrulla “Plasi syri i keq!”.