Kosova mban zgjedhjet parlamentare/ Rreth 2 milionë qytetarë kanë të drejtën e votës, mbi 100 të dërguar nga BE vëzhgojnë procesin! Hapen qendrat e votimit

Kosova mban zgjedhjet parlamentare, ndërsa qendrat e votimit janë hapur prej orësh 07:00.• Njëzetetetë subjekte politike dhe 1 kandidat i pavarur, konkurrojnë për mbështetjen e rreth dy milionë votuesve për të siguruar ulëse në parlamentin 120 vendesh të Kosovës në zgjedhjet e sotme parlamentare. • Njëzet nga këto vende u takojnë pakicave kombëtare nga të cilat dhjetë janë për komunitetin serb, nga radhët e të cilit konkurrojnë gjashtë subjekte politike. • Mbi 940 qendra votimi do të jenë të hapura deri në orën 19:00, ndërsa mbi 100 të dërguar të Bashkimit Evropian dhe 18 nga Këshilli i Evropës do t’u bashkohen vëzhguesve të tjerë vendas e ndërkombëtarë që do të ndjekin nga afër procesin e votimeve. • Për një muaj me radhë partitë politike bënë fushatë me zotimet për rritje pagash e pensionesh, përmirësim të arsimit dhe shërbimeve shëndetësore dhe për të luftuar papunësinë në vendin më të varfër në Evropë. • Zgjedhjet e së dielës, të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, shihen si një sprovë për kryeministrin Albin Kurti, partia e të cilit fitoi me një rezultat të thellë në vitin 2021 dhe është vënë në përpjekje për një mandat tjetër. • I pari që ka hedhur votën e tij ishte, kreu i KQZ, Kreshnik Radoniçi, i cili ka votuar në një qendër votimi në Pejë për zgjedhjet parlamentare. • Pas votimit, ai ftoi qytetarët dhe aktorët e tjerë që të respektojnë rregullat zgjedhore në ditën e zgjedhjeve.