Një mjeke në Spitalin Pediatrik në Tiranë ka kallëzuar në polici se nëna e Leo Sadikajt, e ka dhunuar.
Pas kallëzimit, policia ka referuar materialet në Prokurori për nënën e të miturit, që humbi jetën disa ditë më parë.
Nëna pretendon se mjekja ka neglizhuar mjekimin e djalit 12-vjeçar të shtetases R. S., i cili ka humbur jetën më datë 08.01.2025, në këtë spital.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, për shtetasen R. S., 44 vjeçe, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, pasi ka kallëzuar shtetasja J. B., mjeke në Spitalin Pediatrik, se 44-vjeçarja ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, në ambientet e këtij spitali, me pretendimin se ajo ka neglizhuar mjekimin e djalit 12-vjeçar të shtetases R. S., i cili ka humbur jetën më datë 08.01.2025, në këtë spital”, thuhet në njoftimin e policisë.
Nëna e 12-vjeçarit, Roveta Sadiku në deklaratat e saj për mediat ka hedhur akuza ndaj mjekëve se kanë neglizhuar mjekimin e djalit të saj. Ajo tregon sesi në momentet e fundit, djali i saj i kërkoi që t’i qëndronte pranë dhe e ngushëllonte duke i thënë se nuk kishte asgjë.
“Leo kishte një djegie të paparë në trup dhe donte të zbulohej. Po digjej, kam zjarr më thoshte. Ia thamë doktoreshës por nuk bëri asgjë. Djali e pashë që i kishte duart e ftohta dhe goca ka marrë në një lokal ujë të ngrohtë që t’ia vinim në këmbë dhe duar. Në një moment Leo u ngrit i trembur. I thashë çfarë ke bir i mamit? Asgjë më tha mos ki frikë se asgjë nuk kam. Mos qaj se nuk ka asgjë, më tha djali. Më kërkoi të shtrihesha pas tij. I thashë është turp të keqen mami se ka njerëz. Mami të lutem shtrihu pas meje më lër të të puth, më puth, më shtrëngo fort po më thoshte djali. U shtriva pas djalit dhe po e përkëdhelja, nuk e dija që po i plotësoja dëshirat e fundit. Nuk zgjati shumë. Bëri një frymëmarrje jo të mirë.
