Sherri masiv në Sarandë, arrestohen 4 punonjës policie dhe 4 persona të tjerë, 2 në kërkim

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka njoftuar sot se lidhur me ngjarjen e ndodhur pas mesnate në Sarandë ku pati të shtëna me armë zjarri dhe të plagosur me sende të forta, janë arrestuar 4 punonjës policie dhe 4 persona të tjerë. AMP bën me dije se 2 persona janë proceduar në gjendje të lirë ndërkohë që 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas AMP, një nga punonjësir e policisë gjatë konfliktit ka përdorur dhe ka qëlluar me armën e shërbimit.

Mësohet se nga veprimet hetimore të kryera nga AMP ka arrestuar në flagrancë për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, “Shkatërrim i pronës”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” 4 punonjës policie. Ndërkohë, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 3 pistoleta, 4 automjete dhe 7 aparatë celularë.

Njoftimi:

AMP arreston 4 punonjës policie dhe 4 shtetas, 2 shtetas referohen në gjendje të lirë dhe 2 shtetas shpallen në kërkim

Më datë 02.01.2025, rreth orës 01:30, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ka bërë të mundur parandalimin e një ngjarje të rëndë, pasi në fshatin Gjashtë të Sarandës, përballe një biznesi restorant, janë konfliktuar me sende të forta disa shtetas, ku nga verifikimet dhe veprimet e kryera, jane identifikuar shtetasit E. N. dhe A. N., të cilët janë dëmtuar me sende të forta dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Punonjësi i policisë A.S gjatë konfliktit ka përdorur dhe ka qëlluar me armën e shërbimit.

Gjithashtu, të përfshirë kanë qënë edhe shtetasit I. N. dhe O. B., të cilët janë konfliktuar me punonjësit e policisë I. S., A. S., M. S. dhe E. S., si dhe shtetasit Sh. S., B. Ç., K. Xh., I. D., D. D. dhe K. S.

Nga veprimet hetimore të kryera nga AMP (këqyrja në vendin e ngjarjes, këqyrja e kamerave dhe deklarimet e marra) ka arrestuar në flagrancë për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, “Shkatërrim i pronës”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Punonjësit e policisë:
1. A.S., me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Himarë (I dyshuar për veprën penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”)
2. I.S., me detyrë agjent në seksionin e hetimit në Komisariatin e Policisë Sarandë
3. M.S., student në Akademinë e Sigurisë
4. E.S., me detyrë inspektor në Komisariatin e Policisë Sarandë
Shtetasit:
1. K. S.
2. Sh. S.
3. D. D.
4. K. S.

U ndoqën në gjendje të lirë për veprat penale “Shkatërrim i pronës” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”, shtetasit E. N. dhe A. N.

Janë shpallur në kërkim për veprat penale “Shkatërrim i pronës”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasit I. D. dhe B. Ç. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 3 pistoleta, 4 automjete dhe 7 aparatë celularë.