Tiranë – Këshilli i Ministrave ka miratuar ngritjen dhe funksionimin e sistemit të numrit të unifikuar të emergjencave 112, i cili do të shërbejë si pikë e vetme kontakti për qytetarët në rastet e emergjencave në të gjithë territorin e Shqipërisë. Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e së premtes, shërbimi do të funksionojë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, duke ofruar asistencë në gjuhën shqipe dhe angleze, ndërsa përgjegjësia për koordinimin, administrimin dhe mbikëqyrjen e tij i ngarkohet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Një prej risive kryesore të këtij sistemi është mundësia e identifikimit automatik të vendndodhjes së personit që kryen thirrjen. Për këtë qëllim do të përdoret teknologjia Advanced Mobile Location, e cila lejon përcaktimin me saktësi të lartë të pozicionit gjeografik të telefonuesit përmes pajisjeve inteligjente me sistem operativ Android dhe iOS, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi të komunikojnë me shërbimet e emergjencës edhe përmes mesazheve me tekst për të lehtësuar aksesin për personat me aftësi të kufizuara në dëgjim ose në të folur.
Vendimi parashikon ngritjen e një strukture të centralizuar të quajtur Pika e Përgjigjes për Sigurinë Publike, e cila do të ketë detyrën të presë, vlerësojë, klasifikojë dhe përcjellë thirrjet emergjente pranë institucioneve dhe shërbimeve përgjegjëse. Në rastet e emergjencave civile, koordinimi i ndërhyrjeve në terren do të drejtohet nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Dokumenti i miratuar parashikon gjithashtu regjistrimin e çdo telefonate të kryer drejt numrit 112, të cilat do të ruhen në një bazë të dhënash të dedikuar për qëllime reference dhe për t’u vënë në dispozicion të organeve ligjzbatuese kur kërkohet. Financimi i plotë i këtij sistemi do të mbulohet nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në kuadër të mbështetjes së qeverisë italiane për nismën e ngritjes së sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri.
